Sa e madhe është përkrahja e prindërve kur e dinë se fëmijët e tyre mund të hynë në marrëdhënie seksuale?

Salloni i sotëm i diskutimit të hapur shpalosi shumë probleme, mundësi për përmirësime dhe mundësi të tanishme për sa i përket Edukimit Shëndetësor, sidomos me fokus në shëndetin seksual dhe riprodhues.

Një ndër propozimet e këtij salloni ishte edhe të krijohet një platformë online institucionale e këshillimit ku të rinjtë shprehin shqetësimet e tyre dhe bëjnë pyetje në mënyrë anonime, e përgjigjet i marrin nga njerëzit kompetentë.

Dr. Violeta Xërxa-Thaqi nga Ministria e Shëndetësisë dhe Dr. Ramize Ibrahimi – Mjeke Familjare thanë se institucionet shëndetësore janë gjithmonë të hapura për këshillimin dhe informimin e të rinjve sa i përket shëndetit të tyre seksual dhe riprodhues, por edhe në fushat e tjera shëndetësore.

Problemi i stigmës sociale vjen që nga familja e shkolla për shkak të mungesës së komunikimit dhe informimit, sipas Leutrim Sahitit – Sociolog. Ai potencoi rëndësinë e edukimit shëndetësor si çështje kyçe që të rinjtë të marrin vendime të shëndetshme në jetën e tyre duke reduktuar sëmundjet seksualisht të transmetueshme, shtatzënitë e padëshiruara etj.

Diskutimi solli në pah rëndësinë e edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla që në moshë më të hershme dhe bisedimet ndërmjet familjare, pra problem i cili duhet të kapet nga shumë kahje.

Si K10 falënderojmë të gjithë pjesëmarrësit dhe ju ftojmë të jeni prezent në sallonet e tjera.

Koalicioni K10 mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi, UNFPA Kosovo.