Pavarësisht progresit të vazhdueshëm, 17 milionë grave në regjion ende nuk u përmbushen nevojat për metoda moderne kontraceptive. Në Kosovë deri në 8.9% të grave kanë nevoja të papërmbushura, përderisa në komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian 18.1%. Duke shtuar këtu edhe mungesën e lëndëve mësimore për shëndet seksual dhe riprodhues, është e dukshme që ngritja e vetëdijesimit është më se e nevojshme.

Duke marrë gjithë këto parasysh, AHED, në kuadër të K10 dhe mbështetje të UNFPA Kosovo dhe bashkëpunimin e Departamentit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale të Gjakovës, sot shënoi Ditën Ndërkombëtare të Kontraceptivëve me një sërë aktivitetesh në Gjakovë.

Aktivitetet filluan me ligjërata informuese për nxënësit në gjimnazin “Hajdar Dushi”, duke vazhduar njëkohësisht edhe me sesione informuese për kontraceptivë me gra të komuniteteve Romë, Ashkalinj dhe Egjiptian. Si aktivitet përmbyllës vullnetarët dhe vullnetaret e AHED shpërndanë në qytet broshura informuese të përgatitura nga KOPF dhe K10 dhe kondomë.

Aktivitete për ngritje të vetëdijesimit u organizuan edhe në Prishtinë dhe Mitrovicë nga Edukatoret Bashkëmoshatar KOPF, gjithashtu anëtare e K10.