Ecja tradicionale “Zbulim i Hershëm, Mbijetesë”, organizuar nga Qendra Kosovare për Luftimin e Kancerit të Gjirit “Jeta/Vita”, mblodhi në një vend shumë qytetarë.
Manifestimin para ecjes e hapën disa balerina me një pikë të përgatitur për këtë ditë. Pas pikës folën Kryeministri Ramush Haradinaj, presidentja Atifete Jahjaga, Ministra e Integrimit Evropian Dhurata Hoxha dhe e përmbylli themeluesja e qendrës “Jeta/Vita”, znj. Nafije Latifi.
Të gjithë në fjalimet e tyre bënë thirrje që të bëhet diagnostikimi sa më i hershëm. Pra të ketë kontrollime sa më të shpeshta, një herë në vit, e jo të pritet deri sa të bëhet vonë. Kjo pasi, nëse kanceri i gjirit zbulohet herët, siç potencoi edhe znj. Jahjaga, ka gjasa të mëdha për mbijetesë.
Përveç kësaj Igballe Qena dhe aktori Donat Qosja recituan poezi të Nënës Terezë kushtuar jetës.
JetaVita është anëtare e Koalicionit K10. Koalicioni K10 mbështetet nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsi – UNFPA Kosovo.