Koalicioni K10 mbajti takimin me Anëtarët e Asamblesë Komunale të Kaçanikut.
Takimin e hapi Kryesuesi i Kuvendit Komunal, z. Kemajl Murseli, duke falënderuar për iniciativën të mbahet një takim i tillë informues me mundësi bashkëpunimi në të ardhmen. Këtyre fjalëve ju bashkëngjit edhe Drejtoresha e Departamentit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Kuvend Komunal, Dr. Diana Reka Bajrami.
Gjatë këtij takimi, Dr. Zarife Miftari, Analiste e Programit për të rinj dhe shëndetin seksual dhe riprodhues nga UNFPA zyra në Kosovë, përmendi shumë tema për të cilat #UNFPA ka punuar gjatë mandatit të saj duke përfshirë shëndetin seksual dhe riprodhues, planifikimin familjar, shëndetin e nënave dhe të posalindurve, mundësimin e skriningut të kancerit të qafës së mitrës (deri tani i mundësuar pa pagesë në Prishtinë dhe Prizren, dhe pritet të zgjerohet edhe në komunat tjera edhe më të vogla), dinamikat e popullsisë dhe të dhënat.
Koordinatorja e Programeve në organizatën AMC, Dafina Krasniqi, prezantoi punën e deritanishme të koalicionit K10 dhe kauzën e tij, duke hapur kështu edhe diskutimin me asambleistë. Këta të fundit shprehën shqetësimet në komunën e tyre, ndër të cilat ishte edhe mos kthimi i mjekëve nga specializimi në QKMF në Kaçanik dhe mungesa e gjinekologut.
Koalicioni K10 mbështetet nga UNFPA Kosovo, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara.