Politika anti-duhan në mbrojtje të shëndetit seksual riprodhues
Shëndeti riprodhues, si koncept i ri i shëndetit publik për vendin tonë, ka të bëjë me aftësinë e njerëzve për t’u riprodhuar dhe lirinë e tyre për të vendosur mbi mënyrën dhe kohën e riprodhimit. Kujdesi për shëndetin domosdoshmërisht ndikon në shëndetin riprodhues dhe mirëqenien fizike, mendore dhe shoqërore, duke parandaluar dhe zgjidhur shumë probleme të shëndetit riprodhues.
Në kundërthënie me përpjekjet për të ruajtur shëndetin, duhanpirja mbetet ndër vrasësit më të ashpër të njerëzve në nivel global. Në fakt, duhanpirja është investim në vdekje të parakohshme – të personave që e konsumojnë dhe të atyre që janë të ekspozuar. Megjithatë, shumica e vdekjeve të shkaktuara nga duhani ndodhin në vende të pazhvilluara dhe në ato në zhvillim – prirje e cila pritet të zgjerohet edhe më shumë gjatë dekadave të ardhshme. Shikuar në kontekst shtetëror, është alarmant fakti që duhani i merr jetën 2200 kosovarëve në vit, përderisa, sipas Agjencionit Kosovar të Statistikave, 14% e popullatës mbi 9 vjeç në Kosovë janë duhanpirës.
Ndër dëme të shumta, raporte të numërta të nxjerra ndër vite nga Organizata Botërore e Shëndetësisë tregojnë se duhanpirja dëmton thuajse të gjitha aspektet e shëndetit seksual, riprodhues dhe atë të fëmijëve. Pirja e duhanit shkakton pasoja të rënda në shëndetin seksual të grave dhe burrave, duke dëmtuar fertilitetin mashkullor dhe atë femëror, përderisa cenon rëndë shëndetin e fëmijës. Megjithatë, rreziqet e asociuara me pirjen e duhanit sulmojnë dukshëm më shumë gratë dhe fëmijët. Në fakt, duhanpirja rrit rrezikun e abortit tek gratë shtatëzënë, shton gjasat e lindjes së parakohshme dhe ka ndikim direkt në vdekjet e papritura të foshnjave të porsalindura.
Futja në fuqi e Ligjit për Kontrollin e Duhanit në vitin 2013 mbetet përpjekja kryesore e institucioneve shtetërore drejt mbrojtjes së shëndetit publik dhe krijimit të një ambienti sans-duhan në Kosovë. Studimi i kryer nga OBSH (GYTS), që është standard ndërkombëtar për matjen e prevalencës, tregon që pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, prevalenca e duhanpirjes në Kosovë ka pasur rënie, nga viti 2004 kur është bërë për herë të parë, në 2016. Por, kapacitetet e pamjaftueshme dhe mungesa e strukturës organizative të autoriteteve zbatuese të ligjit kanë ndikuar në mosimplementimin efektiv të politikave antiduhan. Në këtë aspekt, sinjalizues i moszbatimit strikt të ligjit antiduhan, nuk është vetëm numri i ulët i gjobave të parashtruara ndaj subjekteve që nuk respektojnë ligjin.
Aspekt shumë i rëndësishëm, i munguar nga institucionet përkatëse, është neglizhimi i rëndësisë së avokimit për ndryshim të opinionit dhe kulturës lidhur më duhanpirjen. Politikat antiduhan tanimë në zbatim nuk do të duhej të priteshin të shërbejnë si shkop magjik për të kontrolluar duhanpirjen në Kosovë, përderisa vëmendje joadekuate i kushtohet ofrimit të shërbimeve dhe këshillave cilësore për kujdesin shëndetësor nga profesionistët mjekësor.
Vetëdija e ulët për shëndetin dhe të drejtat seksuale riprodhuese në Kosovë vjen parësisht si pasojë e mungesës së politikave dhe infrastrukturës së duhur ligjore. Deri tani, përpjekjet institucionale nuk kanë pasur sukses në zbatimin e një platforme të qëndrueshme strategjike për ndërgjegjësimin e popullatës lidhur me shëndetin seksual riprodhues, që do të ishte në rezonancë me përmirësimin e sjelljeve të dëmshme shëndetësore karshi pravalencës së lartë të duhanpirjes në Kosovë.
Sipas ligjit në fuqi, është obligim ligjor që rregulloret dhe politikat e kontrollit të duhanit të jenë në konformitet me të drejtat e njeriut – përkatësisht, me të drejtat e shëndetit reproduktiv seksual, të cilat njohin qasjen në mjete efektive të informimit për shëndet të mirë si parakusht të respektimit të këtyre të drejtave. Qasja në informim për këshilla për ndërpreje të pirjes së duhanit dhe mbështetje për pacientët që pinë duhan, ndikon dukshëm në inkurajim të masave për të lënë duhanin. Prandaj, përpjekjet informuese dhe edukative për dëmet që shkakton duhani duhet të jenë komponentë vitalë të çdo politike antiduhan.
Të jesh i mirinformuar lidhur me rreziqet dhe dëmet specifike të produkteve të duhanit, pasojat e dëmshme shëndetësore dhe kërcënimet vdekjeprurëse që paraqet konsumimi i duhanit dhe ekspozimi ndaj tymit të duhanit, mund të shpëtojë jetë. Veçanërisht, në mungesë të programeve shtetërore lidhur me edukimin mbi shëndetin seksual riprodhues, rëndësi e shtuar duhet t’i kushtohet mbështetjes së shëndetit të nënave dhe foshnjave për të ndalur duhanpirjen para, gjatë dhe pas shtatëzanisë. Kontrolli i duhanpirjes në Kosovë, duhet të mos shikohet si problem i vetëm i Ministrisë së Shëndetësisë. Mekanizma të decentralizuar, me pëfshirje të Ministrisë së Arsimit dhe institucioneve relevante duhet të angazhohen në luftimin e kulturës së duhanpirjes dhe avokim për mbrojtje të shëndetit seksual riprodhues. Implementimi strikt i ligjit të kontrollit të duhani, i cili nuk duhet të shikohet vetëm si mekanizëm për ndëshkim të duhanprijes së pakontrolluar, por edhe si burim i edukimit të masave lidhur me pasojat e pirjes së duhanit, përfundimisht mund të ndikojë në përmirësimin e shëndetit publik në Kosovë.
Nga:Valëza Zogjani