Autori: Arian Musliu
Duhanpirësit ndahen në tre kategori; duhanpirësit aktiv, pasiv dhe duhanpirësit e dorës së tretë. Një duhanpirës aktiv është ai person që konsumon të paktën 10 cigare në ditë, gjersa duhanpirës pasiv është personi i cili qëndron në një ambient ku ka tym të duhani për të paktën 15 minuta në ditë. Pas konsumimit të duhanit, në materiale akoma qëndron një lloj pluhuri i duhanit i cili me kohë përzihet prapë në ajër dhe thithet nga njeriu permes frymëmarrjes. Këta persona që thithin këtë lloj pluhuri quhen duhanpirës të dorës së tretë (Scotland, A. S. H., 2011).
Të dhënat e Organiztës Botërore të Shëndetësisë (2014), tregojnë rritje të frekuencës të konsumimit të duhanit si dhe alkoolit në Kosovë. Duke marrë parasyshë moshën mesatare në Kosovë, kjo rritje e prevalencës së konsumimit të substancave psikoaktive konsiderohet alarmuese dhe me pasoja afatgjatë në mirëqenien fizike dhe shëndetësore të popullatës.
Shumë hulumtime të ndryshme kanë treguar njëri ndër faktorët ndikues në duhanpirje është familja. Pavarësishtë këshillave që ata ofrojnë për mos përdorimin e substancave psikoaktive, e sidomos duhanin, tradita e duhanpirjes përcillet. Tendenca për konsumim të duhanit është më e madhe tek personat familja e të cilëve konsumon duhan rregullisht, me fokus të veçantë tek babai (Allen et al.2003). Rezultatet e hulumtimit të realizuar nga Musliu, A. dhe kolegët (2016) tregojnë edhe për një çështje tjetër të rrezikshme në rajonin tonë. Pavarësisht këshillave, ndonjëherë edhe laike, duhanpirësit mendojnë që i njohin rreziqet që duhanpirja e vazhdueshme mund të sjellë, gjersa një testim nga OBSH (2004) tregonë që këta persona realisht nuk i kanë informacionet kryesore mbi dëmet e duhanpirjës. Musliu, A. dhe kolegët (2016) raporton se duhanpirja mendohet të jetë lirim i stresit dhe i frustrimit, përkatësisht ndihmesë në qetësimin dhe në relaksimin e tyre. Kjo është tërësisht e vërtetë që ndodhë gjatë konsumimit të duhanit, mirëpo kjo ndodh në fakt si efekt negativ i duhanpirjes. Jürgen Gallinat dhe kolegët (2006) kanë treguar se ky efekt “mashtrues” ndodhë përshkak se duhani prek së pari sistemin nervor duke e dëmtuar atë dhe duke liruar efektin e “relaksimit të rrejshëm”. Sidoqoftë, ndonëse nuk ka statistika të sakta, të dhënat që prezantojnë organet kompetente në Kosovë flasin për rreth 800 raste të reja të kancerit në vit. Numri më i madh i rasteve, i takon kancerit të mushkërive, atij të gjirit dhe kancerit të lëkurës, ku ky i fundit, sipas ekspertëve shëndetësorë, ndërlidhet shumë me duhanin dhe duhanpirjen.
Duhanpirja dhe shëndeti riprodhues
Shumica e grave janë të informuara që prija e duhanit shkakton sëmundje të sistemit respirator (99%), kancer në mushkëri (99%), sëmundje të zemrës (99%), dhe komplikime gjatë shtatëzanisë (91%). Por pak nga këto gra janë në dijeni për problemet si infertiliteti (22%), osteoporoza (30%), menopauza e hershme (17%), aborti spontan (39%), shtatëzania jashtë mitrës (27%), dhe kanceri cervikal (24%) (Lindsay K.Roth & Hugh S.Taylor, 2001).
Prevalenca e duhanpirjes tek shtatëzënat ndryshon nga 9-37%, varësisht nga shtetet, statusi i tyre socio-ekonomik dhe nga ligjet në fuqi, sikurse edhe nga cilësia e shërbimeve shëndetësore (NLSCY, 2007 & Lazarevic BF et al. 2007). “Duhapirja, përmes ekspozimit në substanca si nikotina dhe monoksidi i karbonit, është e shoqëruar me një numër komplikimesh serioze gjatë shtatzënisë, përfshirë shkallën e rritur të abortit spontan, lindjeve të parakohshme dhe të porsalindurve me peshë të ulët” (WHO, 2009). Një fakt i tillë është më i rëndësishëm sesa për këdo tjetër për gruan kosovare, që jeton dhe rritë frytin e saj në një shoqëri që akoma nuk zbaton plotësisht ligjin kundër duhanit, tashmë të aprovuar. “Rreziku nga komplikimet e padëshirueshme tek nëna (p.sh., pëlcitja e parakohshme e cipave, abrupcioni i placentës dhe placenta previa) si dhe rezultateve të dobëta të shtatzënisë (p.sh., mortaliteti neonatal dhe lindja e vdekur, lindja e parakoshme dhe sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës) janë rritur nga duhanpirja e nënës” (Matheës TJ, Menacker F, MacDorman MF. Infant 2001 & Kafouri S. et al. 2009).
Në anën tjetër, tashmë dihet se fëmija i shtatëzënës duhanpirëse është 2.6 herë në rrezik më të lartë për të vdekur nga sindroma e vdekjes së papritur të foshnjës (SVPF) sesa foshnjat tjera (Shah T. Et al.2006).
Ekspozimi në ambiente me tym të duhanit ndikon në reduktimin e peshës tek të sapolindurit për 25-40 gram. Po ashtu, studimet tregojnë ndërlidhje në mes të qëndrimit në ambient ku pihet duhan dhe lindjeve të hershme. Mundësitë janë të pakta që ky lloj ambienti të ndikojë në abortime spontane dhe defekte gjatë lindjes. Po ashtu, ka pak njohuri mbi ndikimin e ambientit me tym duhani në infertilitet, fuksionin menstrual, shëndetin riprodhues tek meshkujt dhe kancerin në fëmijërinë e hershme.
Sidoqoftë, në mesine përfundimeve që provokojnë shqetësim të lartë hyn duhanpirja pasive. Kjo pasi që 2 nga 10 fëmijë të lindur në Kosovë kalojnë deri në 12 orë në të njëjtën dhomë me tymin e duhanit. Në anën tjetër, më pak se gjysma (46.4%) e fëmijëve kanë gjasë të rriten në ambiente familjare pa duhan (OBSH, 2009). Ka fakte të ndryshme shkencore që duhani mund të shkaktojë ndryshime në hormone seksuale tek meshkujt duke rezultuar si njëri ndër shkaktarët e ED (ç’rregullim/mosfunksionim të ereksionit). Duhani mund të ndikojë edhe në infertilitet tek meshkujt si dhe në mos-kënaqësi seksuale. Reduktimi i kualitetit të spermës, numrit të spermatozoidëve, morfologjia abnormale e spermës, dhe trajtimi i fertelitetit tek meshkujt është po ashtu i lidhur me pirjen e duhanit (Weisberg E., 1985 & Peate I., 2005) Fakte mbi duhanin sipas OBSH, (2017):
- Duani vret afërsisht gjysmën e duhanpirësve;
- Çdo vit vdesin të paktën 7 milion njerëz nga duhanpirja
- Më shumë se 6 milion të këtyre vdekjeve janë konsumues aktiv të duhanit gjersa rreth 900,000 janë konsumues pasiv.
- Rreth 80%, apo mbi 1 miliardë, duhanëpirës jetojnë në vendet me të ardhura të ulëta ose mesatare.