Shëndeti dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese janë të pashkëputshme nga mirëqenia e përgjithshme dhe zhvillimi i mirëfilltë i secilës shoqëri. Duke marrë për bazë rëndësinë qenësore të shëndetit riprodhues dhe peshën që ka kjo e drejtë, Kosova dhe akterët kryesorë janë angazhuar drejt arritjes së një konteksti ku kjo e drejtë është e mbrojtur dhe ku të gjithë janë drejt të informuar rreth shëndetit seksual dhe riprodhues. Kjo përpjekje jo rrallë-herë ndeshet me sfidat e përgjithshme me të cilat përballet shteti i Kosovës e që shpeshherë sillen rreth pabarazive shoqërore, varfërisë/zhvillimit të ulët ekonomik. Këto sfida kanë minuar edhe arritjen e shërbimeve të denja shëndetësore, e rrjedhimisht kanë penguar qasjen në të drejtën e shëndetit riprodhues e një ashtu qasjen në shërbime mjekësore për ruajtjen e këtij shëndeti.

Të drejtat e shëndetit riprodhues janë decidivisht të mbrojtura nga ligjet ekzistuese dhe në fuqi në Kosovë, ligje këto që qëndrojnë në harmoni me ligjet e Bashkimit Evropian. Nën ombrellën e të drejtave të shëndetit riprodhues qëndrojnë e drejta për planifikim familjar, ajo për përdorim të kontraceptivëve, amësia e sigurt, qasja në informacion dhe edukim dhe të drejta të tjera të ndërlidhura. Burrat dhe gratë konsiderohen si subjekte të barabarta përballë ligjit kur flasim për të drejtat riprodhuese, megjithatë status të barabartë nuk gëzojnë gratë kur bëhet fjalë për ushtrimin apo vënien në praktikë të ligjit. Kur flasim për të drejtën e barabartë në informacion, mbështetemi tek neni 4, pika 4.1. e Ligjit për Shëndetin Riprodhues: “Çdo individi pavarësisht nga përkatësia gjinore, ideologjike, religjioze apo kulturore i garantohet e drejta në informim dhe edukim lidhur me shëndetin seksual e riprodhues, përgjatë gjithë ciklit jetësor të saj/tij”. Mbështetje ligjore individët kanë edhe sa i përket zgjedhjeve të lira dhe lirimin nga çdo presion. Këtë ky ligj decidivisht e tregon në Nenin 5, pikën 5.1. “Çdo individ ka të drejtë në jetë të shëndoshë seksuale dhe riprodhuese që zgjedh me vullnetin e saj/tij”.

Për implementimin e këtij ligji, respektivisht për sigurimin që secili individ ka qasje në këtë ligj, ka shumë organizata të shoqërisë civile që përmes iniciativave të shumta e të bujshme avokuese, kanë bërë punë të rëndësishme. E zëshme në këtë proces është padyshim edhe organizata Aksioni për Nëna dhe Fëmijë (AMC) që ka arritur një varg ndryshimesh pozitive, sidomos në fushën e sigurimit të një jete të shëndetshme për nënat dhe fëmijët. Arritje e suksesshme në këtë drejtim është edhe krijimi i Koalicionit K10 për shëndetin dhe të drejtat seksuale dhe riprodhuese, një koalicion i dhjetë organizatave jo-qeveritare synon të avokoj për ngritjen e fokusit qeveritar drejt shëndetit riprodhues, përfshirë këtu avokimin për ofrimin e shërbimeve për shëndetin riprodhues në kuadër të pakos bazike së shërbimeve shëndetësore.

Konservativja dhe tradicionalja

Gratë në Kosovë, sipas raporteve të shumë organizatave, përjetojnë dhunë të të gjitha formave më shumë se burrat, e kjo dhunë, kryesisht shkaktohet prej burrave. Të gjeturat e raportit të Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (2015) tregojnë se 35% e të intervistuarave/ëve tregojnë që vendimet në familje merren nga burri. Kjo është padyshim shqetësuese dhe e lidhur ngushtë edhe me vendimet që kanë të bëjnë me shëndetin riprodhues e seksual. Sipas një raporti tjetër të RrGK-së, ngacmimi seksual si dukuri e pranishme në Kosovë në shifra të larta është njëherit veprimtari që dukshëm privon gratë nga ushtrimi i të drejtave të tyre dhe i rritë ato në një shoqëri me presion të lartë shoqëror. Ndjekja e normave tradicionale dhe konservative po ashtu sipas këtij raporti bën që gratë dhe burrat, po sidomos gratë, t’u japin vlerave të tyre morale dhe virtyteve një kuptim reduksionist që përmbyllet vetëm brenda marrëdhënieve seksuale të tyre. Pra, në këtë kuptim del që shoqëria pret nga vajzat që të jenë “të ndershme” duke kontrolluar në mënyrë rigoroze dëshirat e tyre seksuale, të mos flasin për to, të mos tregojnë kureshtje që të dinë për shëndetin e tyre riprodhues e seksual dhe të mbrojnë “moralin” e tyre që më së shpeshti sillet rreth konceptit të virgjërisë. Në këtë formë, bazuar edhe në raportet e organizatave joqeveritare gratë e reja, privohen nga e drejta e informacionit dhe largohen nga qasja e lehtë në edukim dhe njohje të mirëfilltë të trupave të tyre.

Kjo më pas dërgon edhe në mungesën e njohurive rreth të drejtave seksuale që gratë kanë, mospërmbushjen e tyre dhe ekspozimin më të lartë ndaj sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, me fokus të veçantë HIV/AIDS, shtatzënive të paplanifikuara dhe sjelljeve të rrezikshme seksuale. Kjo nuk del të jetë situatë e favorshme as për burrat, ngase edhe atyre u lihet përgjegjësia dhe merret si i mirëqenë fakti që burrat e rinj duhet të dinë gjithçka që duhet rreth marrëdhënieve seksuale.

Jo rrallë, të drejtat seksuale e riprodhuese shkelen përmes shtyrjes me forcë të burrave apo grave që të kenë për partnerë të caktuar, akt ky që dëmton mirëqenien e tyre dhe zhvillimin e shëndoshë seksual e riprodhues.

Aspektet dhe sfidat e lartpërmendura, lehtë mund të kuptohet që rezultojnë në sjellje të rrezikshme seksuale e po ashtu në privim nga ushtrimi i mirëfilltë i të drejtave riprodhuese e seksuale. Nëse flasim për mbrojtjen gjatë marrëdhënieve seksuale, situata mbetet jo e kënaqshme. Raporti i MICS (Multiple Indicator Cluster Survey) tregon që 34 % e respodentëve të tyre janë prononcuar se nuk përdorin mjete kontraceptive përgjatë marrëdhënieve seksuale, kurse gjendja është edhe më e rënduar kur flitet për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, me ç’rast 47.3 % e tyre kanë thënë që nuk përdorin mjete kontraceptive. Kjo mund të shpjegohet edhe me pozicionin e disfavorshëm në të cilin jetojnë aktualisht komunitetet jo-shumicë në Kosovë dhe me qasjen më të vështirë që këto komunitete kanë ndaj informatave e shërbimeve. Dallime nuk ka vetëm tek komuniteti shumicë dhe ato jo-shumicë, por edhe te qytetarët që jetojnë në pjesë rurale dhe ata që jetojnë në pjesë urbane. Pas një hulumtimi që ka bërë UNFPA (Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, Zyra në Kosovë), vërehet përdorim më i lartë i kontraceptivëve gjatë marrëdhënies së parë seksuale nga qytetarët e pjesëve urbane (35.5%) në krahasim me ata nga pjesët rurale (22.3%) gjë që konfirmon përfshirjen më të ulët të qytetarëve nga pjesët urbane nëpër programet e shëndetit riprodhues e seksual.

Këtu vjen në shprehje edhe njëherë raporti gjinor sa i përket përdorimit të kontraceptivëve, me ç’rast, prapë 57% e respondetëve konsiderojnë sigurimin e mjeteve kontraceptive si detyrë të burrit, gjë kjo që bartë përgjegjësinë për mbrojtje vetëm te burri. Kjo gjendje është parë me shqetësim dhe nuk duhet kaluar pa u përmendur dhe duhet të jetë ftesë për intervenim institucional dhe nga shoqëria civile që ka ekspertizë në këtë fushë.

Një shqetësim tjetër i shfaqur edhe nga raportet e realizuara së fundmi nga UNFPA(2015) është edhe burimi i informatave rreth shëndetit seksual e riprodhues dhe shërbimeve shëndetësore. Sipas po të njëjtit raport, 45.47 % të të intervistuarve/ave kanë internetin si burim të informacionit rreth shëndetit riprodhues, ndërsa vetëm 6.4% e informatave merren prej kujdesit shëndetësor, 3.5% prej këshillimit mjekësor, 0.9% prej kampanjave dhe po aq pak prej shkollave. Këto të dhëna rrezikojnë informimin korrekt e të saktë të rinisë. Duke ditur që interneti përmban shpeshherë të dhëna që jo domosdoshmërisht janë të sakta e të vërteta, ai mund të jetë partner në informim të drejtë rreth shëndetit riprodhues e seksual, në të njëjtën kohë mund edhe të bëjë të kundërtën.

Kur flasim për përqindjen e informacionit rreth kontraceptivëve që njerëzit e marrin nga ofruesit e shërbimeve shëndetësore pra mjekëve/eve, farmacistëve/eve, infermierëve/eve, vërehet pakënaqësi e lartë e popullatës (UNFPA 2015, 47.9%) me këtë informatë. Këtu vërehet nevoja për integrimin e edukimit gjithëpërfshirës seksual e riprodhues nëpër planprogramet. 0.9 % është përqindje jashtëzakonisht e ulët, për një shoqëri që pjesën më të madhe të popullatës e ka rini, e që i bie njerëz që kohën më të madhe e kalojnë në shkollë. Për këtë, respodentët pothuajse unanimisht (97.6%) e tyre janë shprehur që dëshirojnë të kenë lëndë të posaçme të shëndetit riprodhues e seksual nëpër shkolla. Kjo do ndihmonte që nxënësit/et të njohin shëndetin e tyre riprodhues e seksual që nga fazat e para të zhvillimit të tyre. Institucionet relevante në Kosovë bashkë me avokimet e shumta nga shoqëria civile, kanë filluar të ndërmarrin veprime drejt kësaj kërkese e nevoje tanimë të shprehur. Normalisht, procesi kërkon kohë, për shkak të trajnimeve që duhen bërë personelit përgjegjës dhe procedurave të tjera përgatitore që janë të nevojshme për implementim sa më efikas të këtij plani.

Pra, është e dukshme që përpjekjet e institucioneve relevante e njëkohësisht shoqërisë civile janë të rëndësishme dhe vlerësohen lartë, por gjithashtu shihet që nevoja për vazhdimin e intervenimeve për përmirësim të situatës kur flitet për shëndetin riprodhues e seksual është e dukshme dhe ekzistuese.

E sa mjaftojnë këto përpjekje të institucioneve shihet edhe tek Ministria e Shëndetësisë e cila ka punësuar vetëm një person në këtë divizion. Nuk ka akoma një përpjekje sistematike, përveq krijimit të një koalicioni prej dhjetë organizatave K10.

Do të ishte shumë e arsyeshme që Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ta fus në kurrikulat shkollore lëndën për shëndetin riprodhues e seksual, dhe të sigurohet që kjo lëndë të ligjërohet nga njohës të fushës. Përveç kësaj duhet të përforcohen mekanizmat monitorues me qëllim që të ketë implementim efektiv të ligjeve. Kjo padyshim do të ndihmonte, në mënyrë që sjelljet e qytetarëve të reflektojnë praktika të sigurta dhe vetëdije ndaj shëndetit të tyre.

Rëndësia e shëndetit seksual e riprodhues dhe ajo e të drejtave seksuale e riprodhuese është e padiskutueshme dhe po kaq e padiskutueshme duhet të jetë përpjekja që ky shëndet e këto të drejta të ruhen, të mbrohen me çdo kusht nga secila instancë përgjegjëse në Kosovë.

Nga: Dardan Hoti