ҪKA ËSHTË PAP TESTI

Ҫka është PAP testi?

Pap testi është një test i shpejtë, i thjeshtë, i padhimbshëm, që zgjat vetëm pak minuta, por që mund të shpëtojë jetën! Është e rëndësishme që të gjitha gratë ta bëjnë rregullisht Pap Testin, si pjesë e kujdesit të zakonshëm për shëndetin e tyre. Rekomandimet për shpeshtësinë e kryerjes se Pap testit janë të ndryshme (prej 3-5 vite).

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë rekomandohet që: Të gjitha femrat e moshave nga 21 deri në 65 vjeç duhet të kryejnë Pap testin rregullisht, në shpeshtësinë që rekomandon mjeku!

Si bëhet Pap Testi?

Rreth 2 ditë para marrjes së Pap testit duhen shmangur shpërlarja e brendshme e vaginës, përdorimi i barnave që futen në vaginë (suposteve vaginale), kremrave spermicide, sprejit vaginal apo të tjera si dhe shmangia e marrëdhënies seksuale, pasi të gjitha këto ndikojnë në rezultatin e Pap testit.

PAP testi nuk duhet bërë gjatë menstruacionit. Ditët më të përshtatshme janë nga dita 10 deri në ditën 20 pas ditës së parë të ciklit menstrual. Ndërkohë që gruaja shtrihet në tavolinën gjinekologjike, mjeku merr një sasi qelizash prej qafës së mitrës me një brushë të vogël, që është posaçërisht për këtë procedurë. Marrja e materialit nuk shkakton dhimbje. Materiali më pas dërgohet në laborator për analizë.

Nëse rezultati i PAP testit del jo normal, do të thotë që në qafën e mitrës janë gjetur disa qeliza jo normale, por kjo nuk do të thotë gjithmonë që janë kanceroze.

A duhet të bëni PAP testin nëse ndjeheni shëndetshëm? PAP testi bëhet tek gratë që nuk kanë simptoma. Ai ndihmon zbulimin e ndryshimeve para se ato të kalojnë në kancer. Është shumë e rëndësishme të kontrolloheni edhe nëse ndjeheni mirë.

Bëje PAP testin!