*Çka është kanceri i qafës së mitrës? Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet në pjesën e mitrës e cila quhet cerviks (qafa e mitrës). Kanceri i qafës së mitrës zhvillohet shumë ngadalë dhe për një kohë të gjatë mund të mbetet i pa zbuluar, meqenëse në fazën fillestare rrallëherë ka shenja të sëmundjes. Kjo bënë të mundur që çdo grua ta zbulojë me kohë kancerin nëse kontrollohet rregullisht. Nëse kanceri zbulohet me kohë, mjekimi është më i lehtë dhe gjasat për trajtim të suksesshëm janë shumë më të mëdha .
Cilat gra rrezikohen prej kancerit të qafës së mitrës? Çdo grua mund të preket nga kanceri i qafës së mitrës, por më e rrezikuar është ajo grua që: Ka filluar aktivitetin seksual në moshë të re; Ajo apo partneri i saj ka pasur marrëdhënies seksuale me partner jo të sigurtë; Ka apo ka pasur infeksion me një nga tipat e virusit të papillomës humane që dihet se shkaktojnë kancer; Konsumon duhanin; Gjithashtu faktorë që rrisin rrezikun e gruas për të pasur kancer cervikal numërohen edhe: Mbipesha;
Kanceri cervikal në familjarë dhe Dieta e varfër në pemë dhe perime.
Faktet/a e keni ditur se: Kanceri i qafës së mitrës është një nga llojet më të parandalueshme të kancerit Kanceri i qafës së mitrës shkaktohet kryesisht nga dy tipe të virusit të papilomës humane – tipet HPV-16 dhe HPV-18. Testimi për HPV bëhet për të konstatuar nëse janë të pranishme tipat e virusit me rrezikshmëri të lartë. Në shumë shtete bëhet vaksinimi i vajzave dhe djemve për mbrojtje nga tipat e HPV me rrezikshmëri për kancer; Mbrojtja më e mirë e femrave nga kanceri i qafës së mitrës është skriningu i rregullt me PAP test.
Përse bëhet skriningu për kancer të qafës së mitrës? Skriningu për kancer cervikal bëhet për të zbuluar qelizat jonormale të qafës së mitrës, në fazat e hershme, kur mund te hiqen me lehtësi para se të zhvillohet kanceri.
Nëse zhvillohet kanceri, mjekimi është më i vështirë dhe i kushtueshëm. Skriningu bëhet përmes marrjes së rregullt të PAP testit. Për të bërë PAP testin, ju duhet të paraqiteni tek gjinekologu.