EDUKIMI BASHKËMOSHTAR – Ndalesa e radhës (1-2.06.2023) ishte në Qendrën e Kompetencës në Ferizaj: infrastrukturë dhe ambient mjaft i këndshëm për nxënës dhe mësimdhënës. Gjithë kjo dukej nga interesimi dhe përkushtimi i nxënësve të klasës së dhjetë dhe njëmbëdhjetë për t’u pajisur me njohuri të reja mbi shëndetin riprodhues dhe të drejtat e tij.

Nuk ka më tema tabu, duhet të flasim hapur në shkolla dhe familje për riprodhimin, ciklin menstrual, higjienën menstruale, abortin, planifikimin familjar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme me fokus parandalimin e HIV/AIDS-it në Kosovë. Për dy ditë radhazi me dr. Mejreme Bajqinovci nga IKSHPK, janë shtjelluar temat të cilat janë të përmbledhura në Manualin e Edukatorëve Bashkëmoshatar. Trajnimi është pjesë e projektit “Përmirësimi i shëndetit riprodhues dhe seksual te të rinjtë përmes edukimit bashkëmoshatar dhe edukimit seksual gjithëpërfshirës në shkolla”🩺. Ky program mbështetet nga UNFPA Kosovo në Kosovë dhe implementohet nga KOPF – Kosova Population Foundation.