Shoqata e të Drejtave të Pacientëve në Kosovë i’u bashkua Aleancës Botërore të Organizatave të Pacientëve (IAPO) dhe përkrahësve të pacientëve në botë në kremtimin e Ditës së Solidaritetit me Pacientë nën moton “Medikamente të sigurta dhe kujdes shëndetësor për të gjithë”.
Shoqata e të drejtave të pacientëve në Kosovë – PRAK, shënimin e kësaj dite e ka realizuar në Prizren, nën përkrahje Koalicionit për shëndet dhe të drejta seksuale dhe riprodhuese, K10, si dhe në bashkëpunim me QKMF në Prizren, SHMLM “Luciano Motroni”.
Në kremtimin e kësaj dite janë mbajtur trajnime për nxënësit e shkollës së mjekësisë, të cilët u informuan më shumë për barna të sigurta, të drejta të pacientit në kujdesin shëndetësor dhe në shëndetin riprodhues, kanë vizituar QKMF në Prizren dhe janë informuar për punën që bëhet atje.
Aktiviteti u hap nga Edona Muqaj koordinatore, e cila shtoi se Dita e Soldaritetit me pacientë, që mbahet çdo vitë në muajin dhjetor, është dita avokuese se pacientët pavarësisht nga sëmundja apo kushtet, pozicioni gjeografik apo gjendja sociale-ekonomike, bashkohen të gjithë në zbardhjen e çështjes kryesore që ballafaqohen të gjithë pacientët. Falënderoi të pranishmit për bashkëpunim dhe theksoi se të gjithë pacientët nuk mund të bëhen mjekë, por të gjithë kanë të drejtë të marrin barna të sigurta dhe shërbime shëndetësore cilësore. Prandaj, NE, Shoqatat e Pacientëve dhe të gjitha Institucionet përkatëse duhet të bëjmë thirrje dhe të avokojmë për ofrimin e kujdesit shëndetësor të sigurt dhe cilësor.
Prezent në këtë aktivitet ishin edhe akterë institucional të komunës së Prizrenit, ndër ta: z. Mehmedali Gashi, Drejtor i QKMF në Prizren, i cili përshëndeti Ditën e Solidariteti me Pacientë dhe organizimin e tij, kurse për temën e kësaj dite tha se kjo temë është me rëndësi për të gjithë ne prandaj sikurse stafi shëndetësor dhe pacientët duhet të bashkëpunojmë për një kujdes shëndetësor të sigurt.
z. Gazmend Ajdini, nga SHMLM ‘Luciano Motroni’, falënderoi PRAK për organizimin e këtij aktiviteti dhe bashkëpunimin për shënimin e kësaj dite së bashku me nxënësit e shkollës sonë.
Aktiviteti u përcjell me ligjerata nga:
z. Besim Kodra, Drejtor ekzekutiv i PRAK, informoi të pranishmit për të drejtat e pacientit në kujdesin shëndetësor, mënyrën e ankesave, rëndësinë e asaj se rregullimi i Sistemit shëndetësor në vendin tonë nuk varet vetëm nga politikanët por edhe nga vet ne qytetarët, ku së bashku mund të jemi pjesë e politikbërjes për një pozitë më të mirë të pacientit. z. Lumbardh Bytyqi, doktor në QKMF Sherbimi Urgjences në Prizren, i cili ligjeroi për medikamente të sigurta dhe kujdes shëndetësor të sigurt, se si t’i dallojmë barnat fallse nga ato të sigurta, si të kujdesemi që të trajtohemi sigurt etj. z. Agron Bytyqi, mësimdhënës i infermierisë në Spitalin e Prizrenit, ligjeroi për planifikimin familjar dhe shëndetin riprodhues të sigurt, ku ndër të tjera theksoi rëndësinë e shëndetit riprodhues, mbrojtjen nga shtatzanitë e padëshiruara, rolin e mëmësisë, metodat kontraceptive etj.
Ekspozimi i pacientëve në mjekime të falsifikuara dhe kujdes të pasigurtë është çështje e vazhdueshme publike që rezulton në kujdes të vonuar, në vazhdim të sëmundjes, rritje të mortalitetit dhe në rezistencë të antimikrobeve. Po ashtu, kontribuon në mosbesi të qeverisë, sistemit shëndetësor dhe të profesionistëve shëndetësor. Shkurt,është krimë kundër pacientit.Ne e besojmë se çdo pacient ka të drejtë që të marrë ilaqe të sigurta, legale dhe efektive.
Kjo kampanjë ka për qëllim nxitjen e vendim-marrësve që të angazhohen në ofrimin e kujdesit shëndetësor të sigurt për pacientët, si dhe përpjekjen për t’i ndaluar barërat dhe produktet mjekësore jo të sigurta dhe me kualitet të dobët. Kjo është e rëndësishme, por shpesh problem shëndetësor publik i anashkaluar, që shpesh kërcënon jetën e miliona pacientëve me të ardhura të ndryshme ekonomike.