Tryeza me temën “Kontracepsioni në shëndetin riprodhues” nxori në pah një numër problemesh dhe ndryshimesh të cilat duhet të ndërmerren në të ardhmen. Pasi që, kontraceptivët kanë qenë dhe kanë mbetur në listën esenciale të barnave, dhe ka mundësi për furnizim me ta, porse informimi është i ulët.

Dr. Visare Mujko Nimani – Udhëheqëse e zyrës së UNFPA-së në Kosovë, tregoi për furnizimin nga ana e UNFPA-së me kontraceptivë deri në vitin 2015 dhe kontributin e vazhdueshëm që bën në shëndetin seksual dhe riprodhues. Ajo foli për rëndësinë e edukimit seksual dhe furnizimit me kontraceptivë si esenciale për parandalimin e shtatzënive të padëshiruara dhe aborteve. Përderisa tha edhe se Ministria e Shëndetësisë duhet të angazhojë UNFPA-në si palë e tretë që të sigurojë kontraceptivë përmes saj, dhe kështu të kursehet edhe buxheti.

Dr. Merita Vuthaj – Udhëheqëse e Div. për SHNF dhe SHR/Ministria e Shëndetësisë pasi falënderoi K10 për angazhimin në këtë sektor, tha se që nga viti 2015 Ministria ka nisur planifikimin e strategjisë sektoriale për furnizimin gjithëpërfshirës me kontraceptivë në Kosovë.

Kësaj fjalie i pasoi Arbnora Beka nga Departamenti i Farmakologjisë në MSH. Sipas saj, pas vitit 2015 ka filluar të bëhet lidhja e kontratave me operatorë ekonomik për furnizim me kontraceptiv. Beka tha se në kujdesin primar kërkesa është e vogël dhe se sipas kërkesës bëhet edhe prioriteti i ilaqeve.

Dr. Flora Brovina përmendi një numër problemesh si: abortin, planifikimin familjar, legjislacionin dhe furnizimin me mjete kontraceptive. Ajo cilësoi shqetësues faktin se nuk kemi statistika të sakta për aborte duke shtuar se “Aborti nuk duhet të shihet assesi si metodë e planifikimit familjar”. Ndërsa duhet edhe të bëhet më shumë sa i përket edukimit dhe kampanjave për seksualitetin.

Majlinda Sinani-Lulaj – Zëvendëse e Avokatit të Popullit, tha se ka shumë ankesa individuale sa i përket shëndetit seksual dhe riprodhues(SHSR). Avokati i Popullit ka bërë 24 rekomandime drejtuar MSH sa i përket SHSR, ndërsa vetëm 14 ose 15 janë të zbatueshme. Preokupim për Avokatin e Popullit mbetet komunitetet e margjinalizuara , personat me aftësi të kufizuar, rastet sociale etj.

Pjesëmarrësit, doktorë e anëtarë të kuvendeve komunale, përmendën mungesën e statistikave në drejtori të shëndetësisë, pushimet e lehonisë në sektorin privat, por edhe pse po mungojnë kontraceptivët. Sipas tyre ende ka tabu rreth shërbimeve të kontracepsionit.

Si zgjidhje u panë niveli më i lartë i komunikimit dhe informimit në mes të institucioneve dhe brenda institucioneve. Duke filluar me shpërndarjen e kontraceptivëve të cilat Departamenti i Farmakologjisë posedon momentalisht. Gjithashtu, u potencua rëndësia e edukimit shëndetësor që në vitet e hershme të fëmijërisë dhe ngritja e vetëdijes së pacientëve për të drejtat për kërkesë të kontraceptivëve.

Koalicioni K10 mbështetet nga Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara, UNFPA, zyra në Kosovë.