“Tuneli i Fundit – Tregimet e të Paharruarave |Edicioni V|” u shfaq në konferencën rajonale “Të Bashkuar kundër Dhunës: Mjaft”, të organizuar nga Ministria e Drejtësisë përgjatë 5 dhe 6 dhjetorit.
Ecja nëpër “Tunelin e Fundit – Tregimet e të Paharruarave” ka sjellë një rrugëtim të ndjeshëm në këtë konferencë. Kjo ekspozitë me emrin “Tuneli i Fundit” është një simbol i historive të fundit të këtyre grave, një rrugëtim emocional që na çon në tronditjet dhe vuajtjet e tyre, duke përfaqësuar historinë e fundit të jetës së tyre dhe realitetin patriarkal që gratë në Kosovë e përjetojnë nga dhuna me bazë gjinore.Me anë të kësaj ekspozite jemi përpjekur të nxisim ndërgjegjësim në shoqëri dhe për të nxitur veprime institucionale, duke përkujtuar dhe rrëfyer historitë e 27 grave të vrara nga burrat (partnerët dhe anëtarët e familjes), të cilat janë viktima të femicidit. Në këto histori ne tregojmë se KUSH ishin viktimat, KUR ndodhi ngjarja, SI ndodhi, KUSH janë vrasësit, dhe ÇFARË po ndodh aktualisht me rastin e tyre dhe assesi PSE ndodhi ngjarja, sepse dhuna dhe femicidi nuk kanë arsyetim! Nga 27 gra, 7 prej tyre do të ishin ende gjallë nëse institucionet përgjegjëse do të kishin vepruar me kohë.Në këtë listë të tragjedive është shtuar një emër tjetër, ai i Liridona Ademaj. Historia e fundit e Liridonës, një formë e re e femicidit, ku ajo u vra me porosi nga burri i saj, na ka alarmuar edhe më shumë në lidhje me situatën e sigurisë së grave në Kosovë. Këto raste na tregojnë se 16 ditë nuk janë të mjaftueshme për të luftuar sistemin patriarkal.Le t’i shfrytëzojmë këto 16 ditë për t’u ndërgjegjësuar dhe për të punuar për ndryshime reale përgjatë 349 ditëve të tjera të vitit, dhe jo vetëm gjatë 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës ndaj grave. Le t’i mbajmë në mendje këto 28 tregime të grave, heroina të gjysmës së popullsisë. Këto histori na bëjnë thirrje për më shumë sesa thjesht vëmendje; ato bëjnë thirrje për veprime në luftën kundër strukturave shoqërore që mundësojnë këto krime të tmerrshme ku gratë vriten veç pse janë gra.Ky është edicioni i pestë e Tunelit të Fundit. Prej vitit 2019 ne shpalosim historitë e grave viktima të femicidit dhe mbledhim nënshkrime e mesazhe përmes Deklaratës së Zotimit Publik Kundër Dhunës ndaj Grave. Këtë vit, pas Konferencës Rajonale, tuneli do të shfaqet në Kuvendin e Kosovës dhe Deklarata do të dorëzohet në Kuvend si simbolikë e ndërgjegjësimit të institucioneve dhe zotimit të tyre dhe të gjithë qytetarëve/eve se dhuna nuk arsyetohet dhe se të gjithë jemi përgjegjës për eliminim të dhunës ndaj grave.Ne jemi Liridona, Albesa, Antigona, Arianita, Armenda, Besjana, Dafina, Diana, Eminja, Feridja, Flora, Hatija, Igballja, Jetmira, Kimetja, Lirija, Makfirja, Marigona, Mervetja, Hamidja, Zejnepja, Valbona dhe Klara, Shqiponja, Sevdija, Sebahatja, Sabilja, Sadija dhe Hyrija. Këto emra janë më shumë se thjesht numra; këto janë thirrje urgjente për ndryshim dhe eliminim të çdo forme të dhunës që mund të rezultojë edhe me vrasje të grave.Përjetë të paharruara! 16 ditë, për çdo ditë!