Aurela Kadriu, ankohej nga cistet në vezore dhe me raste ato i sillnin probleme në shëndetin e saj. Normalisht, kishte një opsion të parë, siç do ta kishte çdo njeri me shqetësime shëndetësore apo edhe dëshirë për konsultë a këshillë, pra ajo vendosi të vizitonte një gjinekolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Pas futjes në sallë, përpara ekzaminimit të pritshëm e për të cilin kishte shkuar, ajo u desh të përjetonte një “ekzaminim” paraprak ose thënë më mirë një interrogim me pyetjet “A je në lidhje” dhe “A je e fejuar”.

Një e re, e kushdo qoftë, nuk ia ka borxh mjekut që t’ia lexojë mendjen e kësisoj as Aurela nuk e kuptonte qartë se për çfarë bëhej fjalë, por pavarësisht asaj ajo u përgjigj atyre pyetjeve. Për të filluar ekzaminimi duhej të kalohej edhe faza përfundimtare, pra drita e gjelbër ishte pyetja “A je çikë”, pas së cilës Aurelës iu desh të reagojë me një pyetje tjetër, por tani drejtuar mjekut: “A po e sheh se jam. Apo po t’dukna si djalë”.

“A je e martuar”, është bërë tani njëfarë mënyrë “implicite” për të ditur nëse gratë e vajzat që u drejtohen këtij institucioni shëndetësor publik, por edhe atyre privat për të mbërritur tek informacioni nëse ato janë seksualisht aktive. Një histori e ngjashme e kishte irrituar edhe Suzana Ajetin.

“Kur kam shkuar te gjinekologu për kontroll pyetja e parë ishte: A je e martume? Unë thashë: Jo, s’jam. Doktoresha: Ani mirë. Unë: Ama jam aktive seksualisht. Doktoresha: Ahaaaaa se unë menova që s’je e martume. Unë: Jo de, s’jam”. U përgjigj ajo pas një insistimi të çuditshëm të gjinekologes, përkundër përgjigjes së qartë të saj. Një vajzë tjetër ndan rastin kur pas takimit me gjinekologen, ajo i ka kërkuar që ta zbulojë barkun. Ani pse vajza ka insistuar që nuk ka ndonjë shqetësim me bark, gjinekologia me ton deri në vrazhdësi dhe me dozë padurimi iu kishte drejtuar “Po, po, qishtu krejt po thonë”, duke presupozuar që vajza ishte shtatzënë.

Trajtesa e “çuditshme” dhe diskursi që manifeston pikëpamje të ngushta e konservatore nuk u ndodh vetëm grave, ani pse atyre u ndodh shumë më shumë, por edhe burrave. Një përvojë të tillë e kishte edhe Trim I., i cili para tre muajsh ishte drejtuar tek një urolog në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Ky djalë 26-vjeçar u habit kur mjeku i drejtoi pyetje rreth statusit të tij martesor.

“S’e di. Mu duk shumë e pakuptueshme mënyra se si më drejtoi pyetjen për ta kuptuar nëse unë jam seksualisht aktiv ose jo. Madje për të mos mjaftuar kjo në fund më bëri dhe një pyetje tjetër. ‘A je i lazdruar, a djalë i mirë’?. Ia nisa me qesh dhe s’dija se si t’i përgjigjem”, rrëfen përvojën e tij Trimi.

Për këto/a paciente/ë është e pakuptueshme se si mjekët profesionistë kanë një qasje kaq konservatore dhe se si ata ende e trajtojnë shëndetin seksual si një temë tabu. Sipas tyre, mjekët i referohen normave e traditave ku virgjëria e “çikës” ka qenë më e shenjtë se vetë jeta e vet edhe seksi ka qenë ajo faza kalimtare prej çikës në grua. Megjithëkëtë, Aurela, Suzana e Trimi kanë pasur hapësirën të kalojnë një hap tutje situatave të tyre të pakëndshme dhe kanë arritur të adresojnë shqetësimin e tyre.

Nuk duhet lënë pa përmendur sfidat që haste në raportimin e rasteve. Këtë sfidë e përmend edhe drejtori ekzekutiv i Shoqatës së të Drejtave të Pacientëve, Besim Kodra, i cili pranon që ka informacione të mjaftueshme që gratë përballen shpeshherë me situatë të këtilla, porse tregon për raportim të ulët të këtyre rasteve të ndjeshme. Kodra këtë raportim të ulët e ndërlidhë me mungesën e njohurive rreth të drejtave të pacientit nga vetë pacientët. Kjo konfirmon nevojën e promovimit sa më të zëshëm të të drejtave të pacientit, paralelisht me promovimin e qasjeve të hapura, jodenigruese e joparagjykuese nga personeli mjekësor.

Në një shoqëri ku mbizotërojnë norma të pasfiduara rreth moralit e ndershmërisë, që shpeshherë emërues të përbashkët kanë “virgjërinë” dhe në shoqëri ku kujdesi për shëndetin seksual e riprodhues dhe kërkimi haptas i të drejtave seksuale e riprodhuese – janë akte ende të panjohura e “të papranueshme”, të flasësh rreth këtij shëndeti e këtyre të drejtave është shndërruar në guxim. Puna me shoqërinë dhe qëndrimet e saj ka filluar, por pa dyshim ky është proces kompleks dhe që kërkon kohë, ashtu siç kërkon kohë çdo sjellje e shprehi që të riformësohet apo të transformohet. Megjithëkëtë, personeli mjekësor bart përgjegjësinë që të mos mirëmbajë assesi një gjendje ku qasja në shëndet riprodhues e seksual mund të jetë e lehtë vetëm teknikisht.

Çdo mjek, përbrenda të qenit njohës i fushës së tij, duhet të ketë shkathtësi të komunikojë drejt dhe me gjuhë jodiskriminuese ndaj pacientëve/eve të tij. Rrjedhimisht, mjeku nuk duhet të cenojë integritetin e pacientit e as të shkelë Betimin e Hipokratit si simbolikë, por në instancë të fundit, as ligjin e derivuar nga shteti në të cilin ai zhvillon veprimtarinë, përpara të cilit ai sikur pacientët e tij janë të barabartë dhe të obliguar ta aplikojnë. “4.5. Ofrimi i shërbimeve është pa asnjë diskriminim, atëherë kur gjatë ofrimit të shërbimeve shëndetësore qytetarët nuk janë të diskriminuar në bazë të pozitës së tyre shoqërore, pikëpamjeve politike, prejardhjes, kombësisë, religjionit, gjinisë, preferencave seksuale, moshës, gjendjes martesore, paaftësisë trupore ose mendore, kualifikimit ose mbi çfarëdo baze tjetër, e cila nuk është e lidhur me gjendjen e tyre shëndetësore”.

Këtë e dinë edhe në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës. Kjo qendër madje u dërgon në vazhdimësi qarkore informative të gjitha njësive përbërëse që janë nën menaxhim të SHSKUK-së, ku kërkohet që në vazhdimësi të respektojnë kodin etik-profesional dhe ligjet në fuqi.

“Ligji për Shëndetësi, por edhe legjislacioni tjetër në fuqi garantojnë trajtim të barabartë për të gjithë, pa marrë parasysh përkatësinë gjinore, etnike dhe bindjet e tjera”, thotë drejtori i SHSKUK-së, Curr Gjocaj.

Megjithatë Gjocaj e largon përgjegjësinë nga ky institucion shëndetësor.

“Me shëndetin riprodhues më shumë merret Mjekësia Familjare, e që nuk është kompetencë e SHSKUK-së”, thotë ai.

Manifestimi i normave tradicionale e konservatore tek personeli mjekësor e tek farmacistët, në një formë bllokon pothuajse të vetmet burime që të rinjtë/rejat dhe popullata kanë për mbrojtjen e shëndetit riprodhues e seksual. Përderisa, përkundër përpjekjeve të shpërndarjes së kontraceptivëve në qendra të ndryshme mjekësore apo në OJQ, farmacitë mbesin dera kryesore ku individët drejtohen. Në një kohë kur shfrytëzimi i burimeve për mbrojtjen e shëndetit seksual e riprodhues është i pakënaqshëm, ajo që nuk i duhet fare shoqërisë është shpërfaqja e diskriminimit e stigmës nga vetë personeli.

Në vend se të krijojë një distancë kaq të madhe pacient-personel mjekësor, është ky i fundit që duhet të ketë për mision shëndetin e pacientëve, e si mbrohet shëndeti kur pacientët tashmë janë të irrituar, të ndrojtur, të paragjykuar, e si rezultat edhe hezitues që të marrin shërbime shëndetësore, varësisht prej nevojës që ata mund të kenë për një të tillë.

Kuptohet që mund të ketë qenë sfidë që personeli mjekësor disi të shkëputet nga mendësia konservatore e tradicionale, por kjo nuk amniston qasjen joprofesionale. Konteksti i përgjithshëm kulturor është faktor i rëndësishëm në formësimin e qasjes së personelit mjekësor edhe sipas sociologes Luljeta Demolli, e cila shprehet se “Qasja e personelit mjekësor ndaj pacientëve është e ndërlidhur drejtpërdrejt me kontekstin e përgjithshëm kulturor në të cilin pjesëtarët e tij janë formësuar dhe ku e aplikojnë profesionin”.

Nga një pikëvështrim tjetër për këtë flet edhe dr. Ilir Begolli, i cili tregon për ndërlidhshmërinë e madhe në mes mënyrës tradicionale të të komunikuarit me mungesën e lëndës së komunikimit (apo integrimin e saj të vonshëm në kurrikula) në nivelin e mesëm dhe bachelor të punëtorëve shëndetësorë. Përkundër kësaj dr. Begolli, ndër të tjera thotë: “Por të gjitha këto nuk e justifikojnë në asnjë mënyrë atë se punëtori shëndetësor nuk duhet ta kuptojë gjuhën e personave me të cilët komunikon dhe jo vetëm gjuhën, por ndoshta edhe trajtat lokale për pjesët e trupit apo fenomenet që në popullatën lokale përdorën (p.sh.: teshat për ciklin menstrual e të ngjashme).”

Ngjashëm flet edhe Aulonë Kadriu, e cila ka punuar në fushën e shëndetit riprodhues e seksual për një kohë të gjatë, sipas së cilës këto qasje të papërshtatshme janë krijuar nga një rend konservator, një shoqëri në tranzicion dhe një mosfunksionim i mekanizmave monitorues e as i atyre ku mund të raportohen këto raste, por, sipas saj, këto qasje “por ama nuk justifikohet assesi kur bëhen nga kushdo, e sidomos nga individë që kanë dhënë Betimin e Hipokratit apo prej atyre që kanë pozita që lidhen drejtpërdrejtë me jetët, shëndetin dhe mirëqenien e popullatës”.

Sa më e madhe distanca pacient-mjek, pacient-farmacist aq më shumë rrezikohet shëndeti seksual e riprodhues i popullsisë kosovare, sidomos rinisë, prandaj mund të paramendohet që largimi i pacientëve apo individëve që kërkojnë mjete kontraceptive në farmaci, me qasje joprofesionale mund të sjellë pasoja që as mjekët e as farmacistët nuk do të mund t’i parandalonin.

Sa më e vështirë që bëhet për popullatën që të kenë qasje në shërbime shëndetësore, aq më e lehtë u bëhet rruga sëmundjeve seksualisht të transmetueshme, HIV/AIDS që nuk ka kurë. Sa më e zhgënjyer që të jetë popullata nga pasiguria që ofrohet nga personeli mjekësor, aq më shumë ekspozohet ndaj shtatzënive të paplanifikuara dhe sjelljeve të rrezikshme sa i përket shëndetin seksual e riprodhues.

Se mungesa e informimit për të drejtat themelore të pacienteve të garantuara me ligj, rëndësinë e këshillimit dhe ngurrimi për të pyetur ndikojnë që shumë shërbime shëndetësore lehtësisht të realizueshme të mbesin të paofruara, e konfirmojnë edhe në organizatën “Aksioni për nëna dhe fëmijë”.

Për të përmirësuar marrëdhëniet pacient-mjek dhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve, AMC-ja siç shpjegon Dafina Krasniqi nga kjo organizatë, ka krijuar qendrat informuese për shëndetin e gruas, ku ofrohen këshilla për shëndetin seksual dhe riprodhues, shtatzëninë dhe kujdesin ndaj nënës dhe foshnjës.

AMC-ja me partnerët mbështetës po ashtu ka iniciuar pilotprojektin për pap-teste pa pagesë në komunën e Prishtinës, i cili tani do të sigurohet si shërbim i rregullt në nivelin e mjekësisë familjare nga Komuna e Prishtinës.

Krasniqi flet edhe për disa nisma që ka bërë kjo organizatë.

“Nismë shumë e rëndësishme është edhe krijimi i Koalicionit K10, një Koalicion i 10 organizatave joqeveritare, i pari i llojit të tij në rajon. Ky Koalicion synon avokimin për përmirësimin e shëndetit seksual dhe riprodhues përmes aktiviteteve që zgjerojnë njohuritë e qytetareve për shëndetin dhe të drejtat e tyre dhe avokimit tek institucionet politikëbërëse për një kornizë ligjore që implementohet në tërësi”.

Shkruar nga: Dardan Hoti